Rreth Profesorit Feti Veseli

Profesor Feti Veseli u lind në Likovë të Kumanovës më 1 qershor 1958, shkollën filloren e kreu në vendlindje, gjimnazin në Kumanovë, dhe Fakultetin Filologjik në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit Publik të Shkupit “Kirili dhe Metodi”, në vitin 1980. Fill pas diplomimit universitar, Feti Veseli u punësua si profesor i gjuhës shqipe në Shkollën e Mesme Teknike të Kumanovës dhe në vitin 1987, u punësua si inspektor i gjuhës shqipe në Ministrinë Rajonale të Arsimit në Kumanovë nga ku më pas u distancua edhe politikisht.

Me ashpërsimin e situatës politike në ish-Jugosllavi dhe masave represive kundrejt arsimimit shqip, Profesor Feti Veseli nuk qëndroi asnjanës. Si rrjedhojë, pas disa ngjarjeve tragjike në rrethet e Kumanovës dhe Likovës, gjatë një mbledhje në sallën VIII-B të shkollës fillore “Dituria” në Likovë, Profesor Feti Veseli i kundërvihet përfaqësuesit jugosllav të Komitetit të Kumanovës, i cili, atëkohë (1989), me polici dhe makina të blinduara me anë të të cilave mbante nën rrethim shkollën, me qëllim parësor intimidimin e banorëve, e pastaj për të filluar me ndalimin e evidencës pedagogjike në gjuhën shqipe, si dhe ndryshimin e kurrikulave dhe përmbajtjeve mësimore për nxënësit shqiptar, duke projektuar zëvëndësimin e tyre me kurrikula të gjuhës maqedonase dhe me përmbajtje të diktuara nga pushteti i kohës.

Profesor Feti Veseli, ashtu edhe siç është përjetësuar në pikturë nga piktori vendas Muhamet Idrizi, u ngrit në këmbë dhe mbi një orë denoncoi në mënyrë holistike regjimin jugosllav dhe qëllimet e përfaqësuesit të dërguar nga Komiteti. Kjo ngjarje, de facto politike, me përmbajtje kombëtare, mori jehonë duke i lënë vendin më pas shantazheve të shumta. Profesor Feti Veseli u dënua me largim nga puna, por fatmirësisht me pavarësimin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, i shpëtoi burgimit.

Në shenjë të veprimtarisë së tij për arsimimin shqip si dhe për përkushtimin në profesion si “Profesor i Dalluar”, themeluesit Arel Bekteshi dhe Mustaf Veseli, nderojnë Institutin me emrin e Profesorit të ndjerë,  “Feti Veseli”.

Scroll to Top